June 12, 2018 at 9:31 am

Kërkonte azil në Francë, i riu shqiptar bën gjestin heroik dhe shpëton tre familje

Fundjavën që kaloi kishte përmbytje në rajonin e Mazenne-s në Francë për shkak të shirave të rrëmbyer që “pushtuan” zonën.

Kjo bëri që shumë familje të rrezikonin jetën mes ujit në përpjekje për t’u larguar nga zona. Mirëpo një shqiptar është kthyer në heroin e tre familjeve në këtë rajon për shkak se ai i shpëtoi nga përmbytjet.

I riu Florim Shehu, i cili është aplikant për azil në Francë shkoi të merrte makinën e tij në fshatin Change pasi pa që ajo kishte mundësi të rrëmbehej nga uji me stuhinë që kishte nisur të dielën.

Ai ka treguar për Ouest France:

Stuhia filloi rreth orës 16:00 të dielën. Unë shkova për të lëvizur makinën time sepse uji po rritej shumë shpejt, por në fund të rrugës pashë një grua që ishte bllokuar në shtëpinë e saj. Pasi pashë gruan e mbërthyer brenda shtëpisë, lashë veturën time Peugot 205 dhe shkova të shpëtoja fqinjët. Kur arrita tek dera pashë që gruaja e bllokuar brenda shtëpisë nuk ishte vetëm. Burri i saj kishte shkuar në një dyqan dhe ajo ishte me dy fëmijët e saj, duke përfshirë një foshnje një muajshe.”
I riu nga Kosova kishte arritur t’i nxirrte ato nga banesa dhe i çoi në apartamentin e vet, i cili ishte në një kat të lartë ku nuk kishte rrezik për përmbytje.

Pas kësaj Florimi mori një telefonatë nga djali i fqinjëve i cili i kërkoi t’i shpëtonte familjen. Pasi i çoi dhe ata në shtëpinë e tij i riu shpëtoi dhe tre fqinjë të tjerë të cilët kishin ngelur në katin e parë të pallatit të tij. Ai hyri nga dritarja e apartamentit dhe i nxori tre banorët.

Gjatë kësaj kohe shqiptari nuk mundi të shpëtonte dot makinën e tij pasi shirat e shtynë drejt lumit.

Mirëpo akti heroik që ka bërë i riu është vlerësuar shumë nga banorët e zonës dhe nga kryebashkiaku i komunës së vogël. Madje ata të gjithë kanë premtuar se do ta ndihmojnë Florimin për të marrë nënshtetësinë.

Florim Shehu është krahasuar gjerësisht me azilantin afrikan nga Mali, Mammadou Gassama, i cili dy javë më parë shpëtoi një fëmijë 4-vjeçar nga rënie prej një ballkoni të një ndërtese në Paris.

Shperndaje në Facebook.